Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Unikatil u ka dërguar shpeshherë selame rivalëve të tij në Prishtinë. Përmes këngëve disave u kishte thënë se "do t'i shkel si pleshta". Të njëjtat selame i kishte marrë edhe nga Prishtina, e madje edhe më të rënda. Ishte quajtur frikacak pasi që nuk po "guxon të vijë në Kosovë". Të dielën Viktor Palokaj i njohur si Unikatil ka vendosur që këtë verë të vijë në kryeqytetin kosovar për të mbajtur koncertin e tij të parin dhe të fundit që kur ka nisur karrierën. Këtë e ka konfirmuar kompania "Powow Entertainment", e cila thotë se pas shumë negociatave e ka bindur reperin të vijë në Kosovë. Alba Morina, zëdhënëse e kompanisë "Powow Entertainment", ka thënë se krejt çka Unikatil ka kërkuar si kusht për të ardhur në Prishtinë është seriozitet dhe profesionalizëm nga kompania që organizon koncertin e tij. "Pasi që do të jetë koncerti i parë dhe i fundit i Unikatilit në Kosovë, ai gjithmonë deshi të bashkëpunonte me një kompani serioze që garanton koncert profesional", ka thënë Morina. Sipas saj, detaje të tjera për datën, vendin dhe çmimin e biletës do të bëhen publike së shpejti nga "Powow Entertainment". Për më shumë se dhjetë vjet, skena e muzikës hip-hop në vend, ka qenë e ndarë në dy grupe të cilat kanë qenë kundër njëri-tjetrit. Në një anë, "The Bloody Albooz" që është udhëhequr nga Unikatil e në anën tjetër "Baba records" që tash quhet "Babastars" me Getoar Selimin apo "Ghetto Gold" në krye. "Lufta" ndërmjet tyre ka qenë gjithmonë tema kryesore në skenën e muzikës kosovare teksa një koncert i Unikatilit në Kosovë ishte paralajmëruar disa herë, por pa asgjë konkrete. Megjithatë në ditën kur është bërë publik lajmi për ardhjen e Unikatilit, njëri prej personave që nëpërmjet këngëve ka marrë selame "për shkatërrim", Getoar Selimi nuk ka dashur të komentojë asgjë. I kontaktuar nga gazeta, Selimi i njohur ndryshe si Ghetto Gold nuk ka dhënë ndonjë qëndrim. "Babastars nuk merret me punët e të tjerëve. Nuk du me fol e as me komentu për këtë sen. Nuk e di mas pari pse duhet me fol unë për këtë punë", ka thënë Geti nga "Babastars". Megjithatë organizatorët e festivalit kanë thënë se do të kenë një super angazhim të sigurimit që prej arritjes së Unikatilit në Kosovë e deri te mbajtja e koncertit. "Duke marrë parasysh popullaritetin e jashtëzakonshëm të Unikatilit, organizimi i këtij koncerti do të jetë shumë i lartë. Gjithsesi, pjesë e organizimit është edhe sigurimi i cili do të jetë profesional dhe do të evitohet çdo ekses eventual", ka thënë Morina. Tutje ajo shpreson se nuk do të ketë ndonjë ekses, mirëpo për gjithçka janë të përgatitur. "Do të ketë organizim të nivelit të lartë dhe sigurimi do të jetë aty për ta evituar çdo ekses eventual", ka thënë Morina. Përndryshe biografia e Unikatil është e mbushur me një jetë përplot ngjarje. Në vitin 1996 ai ishte futur në një përleshje me një familje shqiptare dhe hyri në gjak me ta. Kjo ishte arsyeja pse familja e tij vendosi të shpërngulet për në ShBA, ku edhe kishte formuar "TBA - The Bloody Alboz" (Shqipet e Përgjakshme). Albumi i ri i ti i përbashkët me grupin The Bloody Alboz (TBA) i titulluar "Armiqtë Suprem" ishte shitur në 8 mijë kopje brenda 3 ditësh. Ne vitin 2008, TBA ka nxjerrë albumin e titulluar "Kanuni i Katilit" ndërsa tash është në përgatitje të albumit të katërt. koha.net
0 comments:
Post a Comment