Çiljeta lindi më 5 shkurt të vitit 1985 në Tiranë, në Lagjen Nr. 3, te Selvia. I përket shenjës së Ujorit. Që e vogël është dalluar për bukurinë dhe shkathtësinë e saj, qysh kur shkonte në kopsht, edhe pse nuk e kishte me shumë dëshirë. Por në shkollë dallohej për rezultate të larta në mësime, si dhe një vajzë e edukuar. Tetëvjeçaren e kreu në shkollën “Jeronim de Rada” e më pas gjimnazin te “Sami Frashëri”, në Tiranë. Është angazhuar që e vogël nëpër festa të ndryshme, të organizuara nga shkolla, ku edhe ka dalluar me aftësitë e saj në kërcim, këngë e recitim. Në vitin e parë të gjimnazit janë hapat e saj të para, të një karriere që do të merrte vrull në vitet që do të pasonin. Në atë kohë merr pjesë në konkursin për të rinj, “Rinfest”, ku përfaqësonte shkollën e saj, dhe atje zgjidhet modelja më e mirë. Po këtë vit merr pjesë edhe në konkursin e bukurisë “Miss Shqipëria”, ku vlerësohet me çmimin “Miss Kinemaja”, çmim ky që ia hapi rrugën drejt suksesit. Pas këtij suksesi, pasoi pjesëmarrja e saj si prezantuese në dy edicionet e spektaklit “Netët e klipit shqiptar”. Do të vinin më vonë pjesëmarrja në “Kënga magjike”, në filmin “Ishte kohë për dashuri”, si dhe në komedinë “Trapi i vjetër”. Në moshën 17-vjeçare përfaqëson Shqipërinë në spektaklin e bukurisë “Miss National”, të organizuar në Brazil, ku vlerësohet me çmimin “Miss Friendship” dhe hyn në Top5. Gjatë gjimnazit bëhet imazh edhe i disa reklamave, fillimisht për një firmë kondicionerësh, më pas për një kompani operatorësh telefonikë, si dhe për një linjë autobusësh. Përveç këtyre, do të angazhohej seriozisht edhe me muzikën. Në vitin 2004 publikoi albumin e saj të parë, i cili u pasua me pjesëmarrje të saj në festivalet më në zë të vendit, ku shpesh është vlerësuar edhe me çmime të rëndësishme. Pasi përfundoi gjimnazin, bëri një vit pushim, pasi i kishte dalë shkolla e lartë për Shkenca Politike në Itali, dhe familja nuk donte që ajo të largohej. Aktualisht, është studente e vitit të tretë në Shkenca Politike dhe vazhdon të jetë aktive edhe në tregun muzikor. Familja e ÇiljetësFamilja e saj përbëhet nga tre pjesëtarë: mami, babi dhe Çiljeta.Babi i saj quhet Ferdinand Xhilaga, i ditëlindjes 15.12.1935. Aktualisht, është pensionist, por profesioni i tij ka qenë ekonomist. Origjina e tij është dibrane, mirëpo, duke pasur babanë oficer, është lindur në Delvinë, ku edhe jetonin në ato vite.Mami i Çiljetës quhet Majlinda Xhilaga, e lindur më 23.05.1962 në Korçë, por jeton prej vitesh në Tiranë. Profesioni i saj është parukiere. Lidhja e saj me Çiljetën është shumë e ngushtë. E ka shoqëruar atë që në moshë të vogël, dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, kur Çiljeta ia ka nevojën. Ajo i ka bërë dhuratë mamit të saj një sallon bukurie në Tiranë, i cili mban emrin “Çiljeta”.Gjyshja e saj nga mami quhet Liri Zenelaj, e lindur në vitin 1944, dhe jeton në Tiranë. Çiljeta ka një marrëdhënie të rrallë me gjyshen e saj, që shumë pak mund ta kenë. E duan shumë njëra-tjetrën.Të afërmit e ÇiljetësMami i saj është fëmijë i vetëm dhe, për pasojë, Çili nuk ka as teze, as dajë. Ndërsa nga babi ka vetëm një xhaxha, me të cilin ka marrëdhënie shumë të mira. Ai quhet Shpëtim Xhilaga. Po kaq marrëdhënie të mira ajo ka edhe me nusen e xhaxhait, Teutën, si dhe me dy djemtë, Denisin dhe Eltonin, të cilët i konsideron si vëllezër.Shprehen për Çiljetën Mami i saj, ndër kujtimet e fëmijërisë së Çiljetës, tregon: “Ka qenë një vajzë midis dy djemve. Duke qenë se në familjen e bashkëshortit ishin vetëm dy meshkuj, Çiljeta ishte shumë e dëshiruar në këtë familje. Ka qenë një fëmijë jashtëzakonisht shumë e bukur. Sado të ketë ndryshuar, buzët dhe sytë e saj të veçantë nuk ndryshojnë asnjëherë. Kur ka qenë në moshën 5-vjeçare nuk i pëlqente fare të shkonte në kopsht dhe vinte pas meje, kur shkoja në punë. Ishte shumë e lidhur me mua; më kujtohen vitet 90, kur shkoja në ambasadën jugosllave për të marrë vizë për në Kosovë e që më vinte nga pas. Largohej nga kopshti dhe shkonte vetëm në ambasadë, edhe unë po të mos isha atje. Po në këtë moshë, largohej shpesh nga shtëpia dhe shkonte vetëm te “15-katëshi” dhe i lagte flokët me ujë te shatërvani. Nuk e kishte fare problem të shkonte vetëm nga Pazari i Ri për në Kamëz, ku e kishte punën i ati. Edhe pse kopshtin e kishte inat, me shkollën nuk ndodhte e njëjta gjë. Ishte nxënëse shumë e rregullt, mësonte dhe mësuesit e donin jashtëzakonisht shumë. Edhe sot, mësueset e shkollës së saj tetëvjeçare e duan po aq shumë, si dhe e takojnë shpesh.Që pas vitit 1990 ia kemi festuar çdo vit ditëlindjen, si dhe kemi si kujtime fotografi apo video, të cilat shpesh Çiljeta i shikon dhe i kujton ato kohë të bukura. Çiljeta, mendoj se është pjekur para kohe; kjo falë angazhimeve të saj nëpër evenimente të ndryshme. Gjatë gjimnazit shoqërohej me njerëz jo të moshës së saj, pasi e lidhte puna dhe i ka munguar fakti i të qenit gjimnaziste e mirëfilltë. Gjithmonë e shoqëroja unë, ndërsa, pas vitit të tretë të gjimnazit, filloi të ecte me këmbët e saj. Por, edhe sot më merr shpesh me vete.” Gjyshja: “Jam shumë krenare që e kam mbesë. Që e vogël ka qenë shumë e bukur. Më kujtohet vera e vitit 1991, kur kemi qenë në Golem, në plazh. Atje ajo ka qenë fëmija më e bukur e që binte më tepër në sy. E thërrisnin që në atë kohë “Miss Plazhi”. Nuk i preknin këmbët në tokë, pasi e mbanin të gjithë në shpatulla. Aq shumë e donin… Është fëmijë shumë e edukuar, i respekton shumë njerëzit, sidomos moshën e madhe. Asnjëherë nuk ma kthen fjalë. Çfarëdo që t’i them, më dëgjon me shumë respekt. Është edhe një besimtare e madhe, beson te Kurani dhe i feston festat fetare. Jam shumë e kënaqur nga Çiljeta. I uroj të ketë fat dhe suksese, në profesion e kudo tjetër në jetë.
0 comments:
Post a Comment